Mjedisi

Mbrojtja e mjedisit nga ndotja e dëmtimi përbën përparësi kombëtare dhe është e detyrueshme për çdo banor të Republikës së Shqipërisë, për të gjitha organet shtetërore, si dhe për personat fizikë dhe juridikë, vendas e të huaj, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Vlerësimi i ndikimit në mjedis

Vlerësimi i ndikimit në mjedis i një projekti të propozuar zhvillimi është vlerësimi i ndikimeve të rëndësishme, të mundshme, të asaj veprimtarie në mjedis.

Gjatë vlerësimit të ndikimit në mjedis kryhen identifikimi, përshkrimi dhe vlerësimi në mënyrën e duhur i ndikimit në mjedis të një veprimtarie, të referuar në pikën 1 të këtij neni, duke përcaktuar efektet e mundshme të drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta mbi tokën, ujin, detin, ajrin, pyjet, klimën, shëndetin e njeriut, florën dhe faunën, peizazhin natyror, pasuritë materiale, trashëgiminë kulturore, duke pasur parasysh lidhjet e tyre të ndërsjella.

Vlerësimi i ndikimit në mjedis zbaton parimin e parandalimit që në fazën e hershme të planifikimit të projektit, me qëllim shmangien apo minimizimin e efekteve negative në mjedis, përmes harmonizimit dhe përshtatjes së saj me kapacitetin bartës të mjedisit.

Vlerësimi i ndikimit në mjedis kryhet nga zhvilluesi, si pjesë e përgatitjeve për planifikimin e një projekti zhvillimi dhe para kërkimit të lejeve përkatëse të zhvillimit.

Lejet mjedisore.

Veprimtaritë, që shkaktojnë ndotje në mjedis, pajisen me lejen përkatëse të mjedisit, ku përcaktohen, me shkrim, kushtet e nevojshme për të garantuar se veprimtaria/instalimi do të përmbushë kërkesat e legjislacionit mjedisor në fuqi.

Dhënia e lejeve të mjedisit përcaktohet sipas një sistemi të përbërë prej dy nivelesh, mbështetur në madhësinë dhe llojin e veprimtarisë që ka nevojë të pajiset me leje, si dhe në mundësinë që ka ajo veprimtari të shkaktojë ndotje në atë masë që mund të sjellë dëm në mjedis e të rrezikojë shëndetin e njeriut:


a) kategoria e veprimtarive A, për të cilat zbatohet leja e mjedisit e tipit A;


b) kategoria e veprimtarive B, për të cilat zbatohet leja e mjedisit e tipit B.