Info

Informacion mbi vlerësimin e pasurive të paluajtshme

Kush mund të bej rivleresim të pasurive të tyre?

Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, dhe personat juridikë, të cilët kanë të regjistruar në pasqyrat e tyre financiare pasuri të paluajtshme me vlerë më të vogël se ajo e tregut, kanë të drejtë të bëjnë rivlerësimin me vlerën e tregut të këtyre pasurive, nga muaji Janar 2020 deri në datën 31 dhjetor 2020.

Po në rastin kur pasuritë e paluajtshme janë në proces regjistrimi a bëhet rivlerësim?

Objekt i këtij rivlerësimi jane edhe  pasurite e paluajtshme që janë në proces regjistrimi, duke përfshirë edhe pasuritë e legalizuara në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Kujt ti drejtohemi për të kryer rivlerësim të pronës?

Rivlerësimi mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse.

Ku mund të aplikojmë për rivlerësimin e pasurisë?

Individi, ose përfaqësuesi i tij aplikon online për shërbimin e rivlerësimit të pasurisë, nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania. Në mënyrë që të pajiset me dokumentin zyrtar që pasqyron regjistrimin e rivlerësimit, ai duhet të aplikojë edhe për shërbimin e pajisjes me kopje të kartelës së pasurisë së paluajtshme, ose vërtetimit (për pasuritë që nuk i janë nënshtruar regjistrimit fillestar).

Ku dërgohet aplikimi?

Aplikimi për shërbimet i drejtohet drejtorisë/zyrës vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK-së) që është kompetente për territorin ku gjendet pasuria e paluajtshme.

Si bëhet llogaritja e bazës së tatueshme për rivlerësimin e pasurisë për individët?

Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal.

Vlera e zbritshme, është vlera e pasurisë sipas së aktit të regjistruar (të fitimit të pronësisë) ose ajo sipas rivlerësimit të mëparshëm (për të cilin është paguar më parë tatimi).

Tatimi që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 3 për qind e bazës së tatueshme.

Si bëhet llogaritja e bazës së tatueshme për rivlerësimin e pasurisë për personat juridik?

Rivlerësimi me vlerën e tregut bëhet nga ekspertë të pavarur, të licencuar për vlerësimin e pasurisë.

Diferenca ndërmjet vlerës që rezulton nga rivlerësimi, me vlerën kontabël të pasurisë, reflektohet në pasqyrat financiare të vitit 2020.  Personat juridikë, për këtë rivlerësim, paguajnë 5 për qind të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar, për pasuritë e paluajtshme. Personi juridik mban një kartelë të pasurisë së paluajtshme, ku evidenton vlerën përkatëse të pasurisë së paluajtshme që nga momenti i njohjes fillestare të aktivit dhe tatimin përkatës, të paguar sipas legjislacionit në fuqi. Diferenca ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar, nuk është objekt amortizimi për qëllime tatimore.

Sa është tarifa e ketij shërbimi?

Tarifa për shërbimin e rivlerësimit për individët, pranë ASHK-së, është 1200 (një mijë e dyqind) lekë.